Telefonata
Në errësirë të mjegulluar
zvarritem nëpër këtë mal a çfarë është
dhe n’largësi telefoni cingërron
Eh ku e kam atë telefon
se as dritën që e bënë nuk e shoh
kjo mjegull aq e dendur
sa që nuk sheh më larg se hunda
e telefoni gjer në fund cingërroi
po nuk arrita ta gjeja
e ta hapja
por, n’ato çaste linja
kaloi te aparati për regjistrim të bisedave,
jo asi të sistemit përgjues po shtëpiak
E dëgjoj zërin, zërin tim duke thënë
“Keni thirrur në shtëpinë e Ahmetit,
por tani për tani nuk jemi këtu”
e pas pak zëri yt, ah zëri yt
ka kohë që se kam dëgjuar
rropatem, degët nuk më lënë
por unë disi arrij të lirohem
nga ato kthetra, dhe tashmë
edhe mjegulla ikte tutje
nga zëri yt, i butë
që edhe diellin e fton
n’skenë të del.